Edhe pse sot ishte Dita ndërkombëtare e Gruas, gratë dhe vajzat e fshatit Hade të Obiliqit, në bashkëpunim me Forumin për Iniciativa Qytetare, para zyrave të Bankës Botërore (BB) organizuan protestë si rrjedhojë e dështimit të institucioneve të Kosovës dhe Bankës Botërore për vite me radhë, për të realizuar një zhvendosje me dinjitet dhe sipas standardeve të hartuara prej vetë BB-së dhe të miratuara nga Qeveria e Kosovës.
Protestueset mbajtën në duar për 30 minuta pankarta me mbishkrime “13 vjet izolim dhe varfëri të skajshme”, “Kërkojmë dislokim të menjëhershëm”, “Boll me qymyr”, dhe kërkesa të tjera.
Ato me këtë rast tentuan të futen në zyrat e Bankës Botërore për t’u takuar me drejtorin e kësaj banke, por nuk u lejuan me arsyetimin se drejtori nuk ndodhet në zyrë.
Njëra nga pjesëmarrëset e protestës, Vlora Grajçevci, theksoi se banorët e Hadës janë të kërcënuar dhe janë në gjendje të vështirë, pasi shtëpitë e tyre janë duke u rrëzuar nga Ministria e Mjedisit, andaj nuk kanë kushte më elementare për të jetuar në këtë fshat.
“Na kanë anashkaluar prej të gjitha fshatrave tjera të Kosovës, Hadja është e anashkaluar, qoftë me rrugë, me rrymë, me ujë, me shkolla, me punësim, me të gjitha. Për veç këtyre edhe në tokat tona nuk na lënë të qetë. A e dini se në çfarë gjendje jemi ne këto ditë?… Ne po kërkojmë te Banka Botërore, o të na lënë të qetë në vendet e tona ose të na tregojnë se ku kanë me na zhvendosur dhe të shkojmë t’i bëjmë shtëpitë tona atje. Por, ne nuk dimë se ku kemi me shkuar, ne diku duhet me u përcaktuar për të jetuar… Kemi protestuar edhe te Qeveria dhe do të protestojmë përsëri për të drejtat sikur që i kanë krejt qytetarët e Kosovës”, deklaroi Grajçevci.
Banorja tjetër e Hades, Fatime Mirena, tha se kanë mbetur të izoluar dhe nuk kanë kushte për të jetuar, ngase nuk ka shkollë, nuk ka punësim dhe mjete transportues të udhëtarëve.
“Tokat na i kanë marrë, s’mundem me u marrë as me bujqësi. Nuk mundemi as fëmijët me i dërguar në shkollë, s’kemi kushte, s’ka automjete për udhëtim. S’ka punësim, krejt të këqijat janë në fshatin tonë”, ka thënë Mirena.
Përfaqësuesja e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), Dajana Berisha, theksoi se qe trembëdhjetë vjet banorët e fshatit Hade janë keqtrajtuar, varfëruar edhe më tej. Për këtë ajo tha se fajtore është Banka Botërorë dhe Qeveria e Kosovës. Ajo nuk e kupton përse është krijuar kjo varfëri e skajshme për banorët e Hades.
“Pse s’po bëhet zhvendosje me dinjitet për këta njerëz? Kanë 13 vjet që sorollaten, qe 13 vjet që humbin pronat, qe 13 vjet veç janë varfëruar akoma më shumë se që kanë qenë në vitin 2004. Banka Botërore e ka nisë panelin e inspektimit në Kosovë për t’i vërtetuar këto gjetje. Tentojnë të kalojnë fajin te Qeveria e Kosovës. Të dyja palët janë fajtorë, ama Banka Botërore është këshilltari politik më i fuqishëm i Kosovës dhe i gjithë rajonit për zhvillim të ekonomisë. Andaj, pse kjo gjendje, pse kjo varfëri e skajshme për këta banorë, për këtë fshat, për këtë zonë”, ka thënë Berisha.
Edhe banorë të tjerë potencuan se kërkesat e tyre duhet të merren parasysh për dislokim, ngase durimit të tyre i ka ardhur fundi. /Telegrafi/