Sot, për herë të parë në Kosovë grave dhe vajzave në Komunën e Prishtinës (nga 21-65 vjeç) u janë dërguar ftesat individuale përmes mesazheve telefonike (SMS) për të bërë PAP testin në njërën nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, si QKMF- Qendra e Mirëqenies së Gruas, Qendra e Mjekësise Familjare Nr. 5 apo Qendra e Mjekësisë Familjare Nr. 6.
Informimi dhe vetëdijesimi i grave dhe vajzave për të bërë PAP testin u arrit përmes mbështetjes së UNFPA-së, Zyra në Kosovë dhe koordinimit nga ana e Fondacionit “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”.
“Ofrimi i Pap testeve pa pagesë si pjesë e programit të Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës po vazhdon me sukses edhe në vitin 2018 në Komunën e Prishtinës. Programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës, përmes Pap testeve, u lansua fillimisht në vitin 2016 dhe deri më tani ka mundësuar realizmin e Pap testeve për gratë në grup-moshat e synuara në tre Qendra të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Në vitin 2018, programi u zgjerua edhe në Komunën e Prizrenit, ku ofrimi i Pap testeve do të fillojë gjatë muajit korrik. Qëllimi i skriningut për kancer të qafës së mitrës është zbulimi i hershëm i qelizave jonormale të qafës së mitrës, në fazat e hershme, kur mund të hiqen me lehtësi para se të zhvillohet kanceri”, thuhet në njoftim.
Dorina Grezda nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë tha se janë të lumtur që kanë arritur të praktikojnë standardet ndërkombëtare të programeve të skriningut.
“Duke shpresuar të kemi një përgjigje nga ana e grave për të kryer PAP testin, Kanceri i Qafës së Mitrës mund të parandalohet!” theksoi ajo.
Ky projekt është mundësuar nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara- UNFPA si dhe falë bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale te Komunës se Prishtinës, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Institutit të Anatomisë Patologjike në Qendrën Klinike Universitare te Kosovës, Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik në Kosovë dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë. /Telegrafi