Zyrtarët e klubeve dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës vazhdimisht deklarojnë se nga edicioni i radhës do të ndryshojë qasja, në mënyrë që vendorët të kenë rol më të rëndësishëm në klubet përkatëse, por gjendja, së paku deri tani, nuk ka ndryshuar. Në mesin e atyre që theksojnë se duhet ndërruar kjo strategji është edhe Valdet Grapci, për të cilin ky edicion ishte i fundit si basketbollist aktiv.
“Mendoj se vendorët duhet të kenë më tepër hapësirë, sepse vetëm në këtë mënyrë ata mund të kaliten dhe të fitojnë përvoja për ndeshje të mëdha. Tash e sa vjet jemi dëshmitarë se skuadrat tona po bazohen shumë në lojtarët e huaj, prandaj nuk po kemi basketbollistë të rinj vendorë që po dalin në sipërfaqe dhe një kohë të gjatë janë të njëjtit lojtarë që e bartin barrën kryesore në skuadrat e tyre”, ka thënë Grapci. /Arena/Telegrafi/