Telegrafi

Grant Thornton: Financat e Aeroportit OK

Kjo paraqet një të arritur të madhe për kompaninë e cila deri në vitin 2008 akuzohej për lëshime të mëdha teknike në mbarëvajtjen financiare, kontrollin e pasurisë, projektimin, implementimin dhe mbajtjen e kontrollit të brendshëm në shpenzimin e parasë.

“Ne besojmë se dëshmitë e marra nga auditimi janë të mjaftueshme dhe përshtatshme për t’i siguruar bazat e një mendimi të auditimit tonë”, thuhet në raportin e kompanisë Grant Thorton,

Sipas Grant Thornton, pasqyrat financiare e paraqesin gjendjen financiare të kompanisë, deri më 31 Dhjetor 2009, në mënyrë të drejtë në të gjitha anët materiale, dhe performansën e saj financiare, ndryshimet në ekuitete dhe paranë e saj të gatshme për vitin e përfunduar në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.

Drejtori Menaxhues i Aeroportit Agron Mustafa, tha se marrja e një opinioni të kualifikuar nga ana e kompanisë audituese paraqet një të arritur shumë të madhe për ANP-në. Sipas tij, vlerësimi që vjen në këtë kohë dëshmon për përkushtimin tonë të lartë në punën e mirë dhe eliminimin e të gjitha paregullsive të qëllimshme.

Ai po ashtu theksoi se sipas këtij raporti financiar të hyrat në kompani duke krahasuar vitin 2009 me vitin 2008 janë rritur për 5 milion euro, ndërkaq fitimi neto duke i krahasuar këto dy vite është më i lartë për 4 milion euro.

“Fitimi neto për 2009 nga ana e kompanisë audituese është vlerësuar në 10 milionë e 233 mijë euro nga 6 milionë e 677 mijë euro që ishin fitimet në 2008. Ky rezultat financiarë paraqet më së miri punën që është bërë në kompani. Është një rritje prej më shumë se 30 për qind e fitimi neto”, tha Mustafa. /Telegrafi/