Granit Sylejmani nga fshati Shupkovc i Mitrovicës vuan nga sëmundja e ekstrofisë së fshikëzës urinare.
Ai duhet të dërgohet jashtë vendit për shërim, mirëpo nga gjendja e rëndë ekonomike familja e tij nuk po arrin t’i mbulojë shpenzimet për operim.
Babai i tij, Mursel Sylejmani, ka bërë të ditur për Telegrafin se djali tij ka lindur me këtë sëmundje.
Ai tha se Graniti i vogël që tetë vite është duke u marr me trajtimin e sëmundjes së tij, por pa sukses.
“E vetmja mundësi është ndërhyrja kirurgjike që duhet t’i bëhet në një spital në Maqedoni”, ka thënë Sylejmani për gjendje e djalit të tij.
Ai po ashtu tha se operacioni në këtë spital kap shumën prej 17.176 euro.
Babai i Granitit gjithashtu potencoi se familja e tij jeton me ndihmë sociale dhe kjo shumë është e papërballueshme për ta.
E të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që kanë mundësi të ndihmojnë mund të kontaktojnë në këtë numër telefoni: 049/676-925 ose të kontribuojnë në xhirollogarinë bankare 1707003024076473-NLB Prishtina. /Telegrafi/