Telegrafi

Grandi kthehet në Hotel InterContinental

Hoteli më i njohur në Kosovë, Grand Prishtina, përveç se do të ndryshojë komplet pamje brenda 12 deri në 18 muajve, pritet të ndërrojë edhe emrin, pasi këtë hotel do ta marrë në menaxhim kompania më e njohur botërore e hoteleve, “InterContinental Hotel Groups”

Kjo është bërë e ditur nga pronari i Hotel Grand Prishtina, Zylqyf Berisha, i cili tha se kontrata me këtë grup ndërkombëtar të hoteleve tashmë është nënshkruar.

“Gati jemi. Kemi shpallur tender ndërkombëtar për rikonstukcionin komplet që do t’i bëhet hotelit. Pas kryerjes së punimeve të cilat pritet të zgjasin deri në 18 muaj, Grand do të ndërrojë emrin dhe do të menaxhohet nga kompania ‘InterContinental Hotel Groups’”, tha Berisha për “Telegraf”

Sipas tij, çdo punë që do të kryhet në hotel, do të jetë sipas standardeve më të mira që praktikon ky grup menaxhues i hoteleve.

Kontrata e nënshkruara me këtë grup të njohur të hoteleve ka rritur edhe shumën e investimeve të cilat pritet të kryhen.

Në momentin e privatizimit, në bazë të kontratës së nënshkruar mes blerësit dhe Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, shumë e investimeve që duhej realizuar ishte 22 milionë euro.

Tash në këtë hotel do të investohen mbi 30 milionë euro, sepse ai duhet të plotësojë çdo standard të kërkuar nga “InterContinental Hotel Groups”.

“Gjithsej, duke përfshirë edhe blerjen prej mbi 8 milionë euro dhe investimet që do të kryhen, në total investimi arrin shifrën e 40 milionë eurove”, pohoi Berisha.

I pyetur se sa për qind nga fitimi do ti takojë “Intercontinental Hotel Grups” dhe sa atij si pronar, Berisha tha se nuk ka një përqindje fikse.

“ Është vështirë për ta bërë një llogari sepse përqindjet ndryshojnë. Tjetër përqindje ka për ata që flenë në hotel, tjetër për kuzhinën, tjetër për baret etj”, tha Berisha.

Hoteli që do të jetë pjesë e IHG-së do të ketë mbi 240 dhoma të standardeve më cilësore. Po ashtu në hotel do të ketë pishinë, sauna dhe rekreacione tjera të këtij lloji, pub elitar si dhe restorant ekskluziv në katin e 13-të. /Telegrafi/