Ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Lirim Graiçevci ka thënë se edhe pas largimit të Britanisë nga BE, raportet bilaterale mes Kosovës dhe Britanisë do të vazhdojnë të jenë të forta dhe të gjithanshme.
Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:
“Populli britanik ka votuar për të dalë nga Bashkimi Evropian, me një shumicë të ngushtë. Kjo çështje ka ndarë votuesit në dysh, duke zgjuar emocione të forta, të cilat në fund vendosën të ardhmen e Britanisë së Madhe, jashtë Bashkimit Evropian. Rezultati është zhgënjyes dhe befasues, por ky është vullneti popullor dhe, si i tillë, duhet pranuar dhe respektuar. Situata e krijuar është me shumë të panjohura dhe pasiguri, por Britania e Madhe tani do të duhej të negociojë një raport të ri me Bashkimin Evropian dhe kjo do të mund të zgjasë me vite. Edhe pse Kosova ka humbur një nga mbështetësit kryesor në Bashkimin Evropian, raportet e shkëlqyeshme bilaterale midis Kosovës dhe Britanisë do të vazhdojnë të jenë të forta dhe të gjithanshme”. /Telegrafi/