Ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Lirim Graiçevci, ka reaguar në lidhje me publikimin e një lajmi në mediat kosovare, në të cilat thuhet se Graiçevci ka thënë se mëkati i shqiptarëve, në kohën e sundimit osman, ishte konvertimi në fenë islame.
Ai në një postim në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se kushdo që e ka botuar fragmentin, i pari nga portalet e lajmeve në Kosovë, dhe i cili pastaj është ribotuar nga portale të tjera, ka bërë sipas tij, një keqpërkthim ose keqinterpretim, “kinse unë kam deklaruar që ‘…mëkati ynë ishte se ne u bëmë pjesë e Perandorisë Osmane dhe u konvertuam në islam”.
“Dëshiroj të sqaroj se këtë nuk e kam thënë unë, është nëntitull i përdorur nga redaksia e gazetës Huffington Post. Madje, edhe aty, fjala në anglisht për mëkat (‘sin’) është i vendosur në thonjëza. Askund në tekstin e intervistës nuk mund të gjindet që këtë e kam thënë unë. Për sqarim, po e postoj këtu, si foto, tekstin në anglisht ku përdoret fjala ‘mëkat’, në anglisht ‘sin’ në nëntitull. Gjithashtu po e postoj edhe linkun e plotë të intervistës sime, të cilën nuk e kam parë para botimit. Kërkoj nga portalet të cilat e kanë plasuar fragmentin me pasaktësi në gjuhën shqipe, që ta përmirësojnë, për hir të korrektësisë publike dhe përgjegjësisë profesionale”, ka shkruar Graiçevci.
Ai ka shpërndarë edhe linkun origjinal të intervistës, të cilën e ka dhënë për prestigjiozen Huffington Post. /Telegrafi/