Anglia është në ankth të madh kur kanë mbetur edhe gjashtë javë deri në fillim të Kampionatit Botëror ‘Katari 2022’.
Njëri nga mbrojtësit më të mirë anglez, Reece James ka pësuar një lëndim në sfidën ndaj Milanit dhe ende nuk dihet gjendja e tij.
Mbrojtësi anësorë u lëndua në Ligën e Kampionëve ndaj Milanit, derisa në Angli ende nuk e dinë se sa javë do të mbetet jashtë fushave.
22-vjeçari do të bëjë disa kontrolle specialistike për të parë se sa kohë do të mungojë.
Ka qenë trajneri i Chelseat, Graham Potter që ka folur rreth lëndimit të James, ku ka thënë se duhet të presin edhe dy ditë për të kuptuar lëndimin e tij.
“Reece James do t’i bëjë do kontrolle speciale gjatë fundjavës. Derisa ta kuptojmë këtë, nuk mund të shtoj shumë”.
“Do të ishte spekulim për këndvështrimin tim. Le të presim dhe të shohim. Ai nuk u ndje shumë keq dje, por derisa t’i kontrolloni këto gjëra, nuk e dini kurrë”, tha Potter.
James kohëve të fundi ka zënë vendin e titullarit te Anglia duke e ulur në bankën rezervë yllin e Liverpool, Trent Alexander-Arnold. /Telegrafi/