Grafiti me mbishkrimin ‘UÇK – Jashari’, në qendër të Prokuples, ka shokuar banorët e këtij qyteti të Toplicës.
“Grafiti që është shkruar me ngjyrë të zezë dhe i dedikohet njërit nga udhëheqësve të UÇK-së terroriste, Adem Jasharit, është denoncuar në polici, e cila është duke zhvilluar hetimet në lidhje me autorin”, shkruan Novosti e Serbisë.
Derisa në policinë e Prokuples nuk japin më shumë informacione rreth kësaj, qytetarët të cilët e hasin këtë për çdo ditë, konsiderojnë se grafiti është shkruar me qëllim të frikësimit të banorëve të qendrës së rajonit të Toplicës, e cila është më afër Kosovës.
Sipas Novostit linja administrative mes kësaj komune kufizohet me Kosovën në një largësi prej 106 kilometra dhe ka qenë kryesisht cak i sulmeve nga ana e shqiptarëve të Kosovës ndaj banorëve të kësaj ane, mirëpo kohët e fundit gjithnjë e më shumë paraqiten mbishkrimet UÇK në faqet zyrtare të institucioneve të kësaj ane, transmeton KosovaPress.
Vitet e fundit në këto anë, dëgjohen zëra se shqiptarët gjithnjë e më shumë janë duke blerë shtëpi dhe banesa në rajonin e Toplicës, mirëpo kjo është vështirë të konfirmohet pasi që kontratat e shitblerjes, siç supozohet, po kryhen në prezencë të dëshmitarëve dhe pa përkthim të pasurisë së patundshme nga ana e gjykatave. /KP/