Forcave të Armatosura të Shqipërisë u shtohen edhe gjashtë ushtarakë me grada të larta.
Me dekret të presidentit të Republikës, njëherësh komandant i Përgjithshëm i FA, Bajram Begaj, dhe propozim të ministrit të Mbrojtjes, gjeneral brigade Ferdinant Dimo dhe Petrit Çuni tashmë do të mbajnë gradën gjeneralmajor.
Kundëradmiral Adnand Agastra do të mbajë gradën nënadmiral, ndërsa kolonelët Ardian Lilo, Vehbije Kuti e Hamdi Doda do të mbajnë gradën madhore gjeneral brigade.
I pranishëm në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, në Ministrinë e Mbrojtjes, ministri Pirro Vengu vlerësoi kontributet e gjithsecilit prej ushtarakëve dhe theksoi nevojën që kanë FA për investime në kapacitete njerëzore, përballë sfidave të kohës.
Sipas ministrit Vengu: “Shqipëria ka gjithmonë nevojë për gjeneralë, sepse Forcat e Armatosura thirren gjithmonë e më shumë në misione të posaçme dhe për pasojë, qoftë në komponentin ushtarak, qoftë në komponentin civil duhet të jemi në lartësinë e misioneve dhe, ku ka më mirë se sa ushtarakë me eksperiencë e profesionalizëm që të përballen me koto sfida”.