Site icon Telegrafi

Graçanica përballet me reduktime të ashpra uji

Banorët e Komunës së Graçanicës po përballen me reduktime të ashpra të ujit të pijshëm. Zyrtarët e saj thonë se këto reduktime fillojnë nga ora 21:00 dhe vazhdojnë deri në orën 07:00 të mëngjesit. Këto reduktime, sipas tyre, po ndodhin për të minimizuar dështimet në rrjetin kryesor të ujësjellësit.

“Bazuar në marrëveshjen e menaxhimit ndërmjet Komunës së Graçanicës dhe Ujësjellësit Rajonal ka nisur një regjim i ri i kufizimeve të ujit për çdo mbrëmje nga ora 21:00 deri në 7:00 të mëngjesit për të minimizuar dështimet që janë më të shpeshta në kohët e fundit në rrjetin kryesor të ujësjellësit, për shkak të një ngarkese të madhe në rrjedhën e ujit dhe presionit të shpejtë”, thuhet në një njoftim të Komunës së Graçanicës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Departamenti i Shërbimeve Publike u ka bërë thirrje banorëve që të kenë kujdes presionin e ajrit që ndodh në gypat e ujit në shtëpitë e tyre që rezulton rëndom pas ndërprerjes së reduktimeve.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiq, ka premtuar se furnizimi me ujin do të rregullohet së shpejti pasi të kenë rindërtuar rrjetin e ujësjellësit dhe ndërrimin e gypit kryesor. /Telegrafi/

Exit mobile version