Site icon Telegrafi

Graçanica ndan rreth 300 mijë euro për OJQ-të “e afërta”

Organizatat joqeveritare, shumica e të cilave janë të afërta me pushtetin lokal në Graçanicë e cila funksionon sipas sistemit të Kosovës, kanë marrë rreth 300 mijë euro mbështetje financiare për projektet me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe zbutjes së pasojave të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Kuvendi i kësaj komune me shumicë serbe, më 25 nëntor, në bazë të propozimit të kryetarit të Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq, ka miratuar vendimin për ndarjen e shumës prej 284.985 euro për 14 organizata joqeveritare, të cilat kishin aplikuar më parë në një thirrje publike të publikuar në 12 tetor. Popoviq është kryetar komune nga radhët e Listës Serbe, i cili është subjekti i vetëm politik që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Për të gjitha këto organizata joqeveritare janë miratuar nga 20.356 euro.

Burimet e Radios Evropa e Lirë në Komunën e Graçanicës kanë konfirmuar vërtetësinë e dokumentit që u votua.

Thirrja ka të bëjë me organizatat joqeveritare, puna e të cilave është e fokusuar në fushën e veprimtarisë humanitare, ndërkaq projektet dhe aktivitetet në bazë të së cilave është ndarë mbështetja financiare, do të duhej t’i referoheshin dorëzimit të pakove me artikujt ushqimorë themelorë, me artikuj higjienikë, pajisje mbrojtëse dhe ndihmë për të rrezikuarit, të moshuarit dhe pjesën tjetër të popullsisë.

Këto mjete financiare kanë dalë nga Plani për zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike i Qeverisë së Kosovës, në bazë të së cilit 2 milionë euro janë ndarë për mbështetjen e projekteve të komuniteteve joshumicë, me qëllim të përmirësimit të jetës dhe rimëkëmbjes ekonomike.

Kush janë organizatat që kanë marrë mbështetjen financiare?

Në mesin e përfituesve të mbështetjes financiare për financimin e projekteve është organizata joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT), me projektin “Aksioni humanitar për ndihmë ndaj qytetarëve më të rrezikuar – Së bashku jemi më të fortë”.

Njëri nga themeluesit e kësaj organizate është pikërisht kryetari i Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq. Kjo figuron në regjistrin e organizatave joqeveritare që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës.

Kryetari i Graçanicës figuron si themelues i organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë.

Përfaqësuesi aktual i autorizuar i kësaj organizate është thënë se është Sasha Illiq.

Mbështetjen financiare e ka përfituar edhe Qendra Alternative Kulturore (AKC) për projektin “Graçanica solidare kundër COVID-19”.

Përfaqësuesi i autorizuar i kësaj organizate është Bojan Teofilloviq, i cili gjithashtu është zëvendësdrejtor i CPT-së.

Mbështetje financiare ka marrë edhe Qendra Humanitare Edukative Rekreative (HERC), e regjistruar në emër të Vlladan Trifiq, i cili gjithashtu është pjesë e ekipit të organizatës joqeveritare CPT.

HERC do të marrë mbështetje për mbështetje financiare për projektin “Dorëzimi i ndihmave për popullatën e prekur nga pandemia COVID-19 me mbështetjen e shoqatave sportive”.

Organizata joqeveritare “AZOD” ka marrë mbështetjen financiare me projektin “ Ndihmë për ndërmarrësit dhe punëtorët e goditur nga pandemia e koronavirusit”. Përfaqësuese e autorizuar e kësaj organizate është Marija Periq , bashkëshorte e drejtorit të Departamentit për kadastër në Komunën e Graçanicës, Nebojsha Periq, i cili njëkohësisht theksohet si person kontaktues i organizatës “AZOD”.

Periq i ka thënë shkurt Radios Evropa e Lirë, se nuk ka asnjë koment.

Organizatat tjera që kanë përfituar mbështetjen financiare janë “Qendra kulturore e fëmijëve” e Millica Popoviqit, si dhe “Çelësi i të ardhmes” i Nemanja Popoviqit. Përfaqësuesit e të dy organizatave janë nga familja e njëjtë e kryetarit të komunës, Sërgjan Popoviq.

Organizata joqeveritare të caktuara që gjenden në listën për mbështetje financiare me 20.356 euro dhe 11 centë, nga ana e Komunës së Graçanicës, nuk janë të regjistruara fare, gjegjësisht, nuk ekzistojnë zyrtarisht.

Bëhet fjalë për organizatat “CCCC”, “Univerzum”, “Qendra për media dhe traditë”.

“Komuna e Graçanicës ka keqpërdorur mjetet nga buxheti i Qeverisë së Kosovës”

Për keqpërdorimet e mundshme me rastin e ndarjes së mjeteve financiare për sektorin joqeveritar, i ka vërë në dukje lideri i subjektit opozitar Partia Përparimtare Demokratike, Nenad Rashiq. Ai konsideron se Komuna e Graçanicës i ka keqpërdorur mjetet e buxhetit të Kosovës dhe se ekziston konflikt i interesit kur bëhet fjalë për ndarjen e ndihmës financiare për organizatat joqeveritare, me qëllim të zbutjes së pasojave të pandemisë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Rashiq vlerëson se i gjithë procesi i vendosjes lidhur me ndarjen e ndihmave ka qenë jotransparent.

“Vet kryetari i komunës, Sërgjan Popoviq, është themelues i njërës prej organizatave joqeveritare (CTP). Rasti i dytë është që bashkëshortja e drejtorit të Kadastrës ka marrë projekt, ndërkaq ai vet është potencuar si person kontaktues. Brenda atyre organizatave ekzistojnë edhe të tjerë, gjë që më sjell deri te dyshimi se deri te kjo është arritur në mënyrë të organizuar, se ka ardhur përmes nepotizmit, konfliktit të interesit dhe potencialisht edhe keqpërdorimit të fondeve”, theksoi Rashiq.

Qendra për Paqe dhe Tolerancë mohon mundësinë e keqpërdorimit

Kryetari i Graçanicës, Sërgjan Popoviq, nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të Radios Evropa e Lirë.

Por, Stefan Fillipoviq nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë, në mënyrë kategorike e mohon çdo mundësi të keqpërdorimit të mjeteve financiare të destinuara për luftën kundër COVID-19. Ai thekson që i gjithë procesi i ndarjes së ndihmës financiare është në vazhdim e sipër.

“Fuqishëm i demantoj të gjitha ato pretendime dhe them se kjo nuk është ashtu”, tha Fillipoviq.

“Ne jemi një nga OJQ-të e cila participon në këtë proces, i cili ka qenë transparent. Ne kemi parë thirrjen dhe kemi reaguar. Ne jemi organizatë lokale. Punojmë dhe funksionojmë në Komunën e Graçanicës dhe çdo ditë përcjellim se çfarë ndodh aty”, theksoi Fillipoviq për Radion Evropa e Lirë.

Në Qeverinë e Kosovës pa përgjigje

Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje se a do të mbikëqyret dhe kush do të mbikëqyrë shpërndarjen e mjeteve financiare. Nga Zyra e Kryeministrit, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje, kanë theksuar që për këtë do të duhej të ishte e përgjegjëse Ministria e Zhvillimit Rajonal. Zyrtarët e kësaj të fundit theksuan që ata nuk e kanë këtë kompetencë dhe se për këtë është e përgjegjëse Ministria e Financave.

Por, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, thekson që përgjegjësinë për këtë çështje e ka Ministria e Pushtetit Lokal, në krye të së cilës është Goran Rakiq nga Lista Serbe. Nga Ministria e Pushtetit Lokal, Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij teksti./REL

Exit mobile version