Telegrafi

Grabovci: Veseli mund të jetë kryetar i PDK-së

Zgjedhja e Hashim Thaçit në krye të shtetit ka lënë pa udhëheqës dy poste në kabinetin qeveritar si dhe postin e kreut të Partisë Demokratike të Kosovës.

Janë lakuar emra nëpër media se kush mund të vihet në këto poste, por deri më tani ende nuk ka asgjë zyrtare.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci thotë se PDK ka kapacitete të mjaftueshme dhe njerëz kredibil të cilët mund ta zëvendësojnë kryetarin e tanishëm Hashim Thaçin.

“Partia Demokratike e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme, ka njerëz kredibil që mund dijnë dhe do të jenë të suksesshëm në menaxhimin e PDK-së dhe përgatitjen e saj për zgjedhjet e vitit 2017 dhe vitit 2018”, thotë Grabovci për RTK-në.

Ai nuk e mohon mundësinë që PDK-në ta udhëheq zëvendësi i Thaçit, Kadri Veseli, i cili sipas Grabovcit mund ta drejtojë këtë subjekt në mënyrën më të mirë të mundshme.

‘Nuk përjashtohet as Kadri Veseli, nuk i mungon asgjë përkundrazi kam bindjen e thellë që do ta përfaqësoj partinë në mënyrën më të mirë të mundshme, do të menaxhoj me të. Ka raporte të shkëlqyera me të gjithë anëtarët e kryesisë, Këshillit Drejtues, ka komunikim shumë të mirë me të gjitha strukturat në të gjitha nivelet e partisë, prandaj absolutisht nuk është diçka e papritur”, tha Grabovci.