Telegrafi

Grabitje e armatosur në Prishtinë

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 14:00 policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur.

Grabitja ka ndodhur në institucionin mikrofinanciar që gjendet në rrugën “Enver Maloku ” në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.

Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armës, ku një person i maskuar, ka grabitur një sasi të parave dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar personin e dyshuar dhe vendndodhjen e tij. /Telegrafi/