Policia e Shtetit shqiptar ka gjetur një sasi parash që dyshohet se u morën gjatë grabitjes në pistën e avionëve në Rinas, rreth 8 muaj më parë.
Gjatë një operacioni blic në Elbasan tek shtëpia e një prej të afërmve të të shpallurit në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, Aleks Pepa, janë gjetur 50 mijë euro të fshehura brenda një frigoriferi të vjetër.
I pyetur nga uniformat blu i afërmi i Pepës nuk ka justifikuar posedimin e një shume të tillë parash, shkruajnë mediat shqiptare.
Sasia e parave është sekuestruar nga policia dhe do t’i nënshtrohet verifikimeve në bashkëpunim me bankën, e cila ra pre e grabitjes.
I shpalluri në kërkim, Aleks Pepa rezulton të jetë larguar nga Shqipëria pak kohë pas grabitjes.
Gjurmët e tij u ndoqën nga policia deri në Rumani e më pas ai u shpall në kërkim nga Interpoli.
Ai u identifikua nga policia me prova shkencore, si shoferi i automjetit që çau rrethimin e Rinasit.