Telegrafi

Grabiten turistët austriakë në Shqipëri

Policia e Shtetit ka shpallur dy persona në kërkim, pasi u kanë vjedhur para dhe një telefon mobil dy turistëve austriakë në Fushë Arrëz.

”Më datë 19.08.2017, jemi njoftuar nga salla operative e Komisariatit Policisë Tropojë, se në orën 08:30 të datës 19.08.2017, janë paraqitur dy shtetas të huaj E. T., 54-vjeç dhe bashkëshorti K. T. 61-vjeç, banues në Vjenë, Austri, për të bërë kallëzim”, njofton policia.

Turistët austriakë ishin duke pushuar buzë rrugës automobilistike kur dy shtetas të paidentifikuar u kanë marrë me dhunë 700 euro dhe një telefon.

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.