Telegrafi

Grabiten 65 kompjuter portativ nga shkolla në Çair, dëmi 10 mijë euro, policia po heton

65 portativ për fëmijë, 4 televizorë dhe pajisje të tjera elektronike janë vjedhur nga shkolla fillore “Ismail Qemali” në lagjen Fushë Top hanë të komunës së Çairit, ka njoftuar TV21, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Drejtori i kësaj shkolle Kadri Agushi ka thënë gjatë javëve të fundit shkolla e tyre dy herë me radhë ka qenë cak i grabitjeve.

“Deri në ora 22.00 kemi rojtar, sigurisht që kjo ka ndodhur pas orës 22.00. Fatkeqësisht nuk e dimë si është bërë. Drynin dje taze e kemi vendos, nuk është i prishur. Nuk e dimë si ka mundur të ndodh. Ishin ekspertët, do ta shohim se çfarë do të bëhet. Dua të bëj apel deri te të gjithë se shkolla është për nxënësit dhe për popullin që është këtu e jo të shkatërrohet”, është shprehur Kadri Agushi , Drejtor i shkollës “Ismail Qemali”/.

Drejtori i shkollës thotë se nuk është hera e parë që shkolla e tyre është cak i grabitësve, por sipas tij, është shqetësuese se asnjëherë nuk janë kapur grabitësit.

Nga MPB informojnë se janë duke punuar ende nuk janë kapur vjedhësit.

“Jemi duke bërë ekspertizën e rastit. Ende nuk janë gjetur vjedhësit në shkollën fillore “Isamil Qemali” në Shkup”.

Sipas MPB-s, viteve të fundit në evidencën e tyre të grabitjeve deri tani janë zbardhur 50 raste të grabitjeve në shkolla të ndryshme të Shkupit. Gjatë gjashtë muajve të fundit cak i grabitjeve kanë qenë edhe shkolla “Adem Jashari” në Çair, ndërsa para një viti shkolla fillore “Panajot Ginovski” në Butel, shkolla fillore “Emin Duraku” në Saraj dhe shkolla fillore “Liria” në Çair, ku kryesisht janë vjedhur kompjuterë dhe pajisje tjera elektronike./Telegrafi/