Pas 3 vitesh te Bayern Munich, 24-vjecari do të jetë sërish pjesë e Borussias së Dortmundit. Gazeta gjermane Bild ka raportuar lajmin e bujshëm se është arritur akordi mes bavarezëve dhe verdhezinjëve për rikthimin e Gotzes te klubi nga Signal Iduna Park.
Sipas Bild marrëveshja është arritur për shumën e 28 milionë Eurove ndërkohë që kampioni i Botës me Gjermaninë në Brazil do të firmosë një kontratë 5-vjecare me Borussian e Dortmundit.
Mesfushori me tipare sulmuese prej kohësh dëshironte të ndërronte ambient madje në muajt e kaluar u fol shumë për një kalim të mundshëm të tijin te Liverpooli, ku Gotze do të bashkohej me ish trajnerin e tij Jurgen Klopp.
Megjithatë me zyrtarizimin e Carlo Ancelottit si trajneri i ri i Bayernit ranë poshtë hipotezat për largimin e 24-vjecarit madje mediat e bënë fakt të kryer qëndrimin e tij te Bayerni edhe të paktën për një sezon. Por mesa duket asgjë nuk ka rezultuar e vërtetë dhe Mario Gotze sipas të gjitha gjasave do të jetë futbollisti më i ri i Borussias së Dortmundit.
Te verdhezinjtë Gotze pritet të formojë një treshe të gjithën gjermane në repartin e avancuar me Marco Reus dhe Andre Schurlen, pasi edhe ky i fundit është shumë pranë kalimit në Signal Iduna Park.