Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov ndodhen në vizitë pune në Bruksel, ku sot, në prag të mbledhjes së Këshillit Veriatlantik me Maqedoninë (NAC+1), realizuan takim me zëvendës sekretaren gjenerale të NATOS-s, Rose Gottemoeller, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Gottemoeller shprehu falënderim për pjesëmarrjen e forcave mbrojtëse të Maqedonisë në Afganistan dhe tha se Republika e Maqedonisë është partner i çmuar i NATO-s. Ajo theksoi se NATO dëshiron ta shohë Maqedoninë duke i realizuar synimet e saja si vend i integruar me sukses dhe pjesë e një rajoni stabil dhe me prosperitet.
“Dyert e NATO-s mbeten të hapura dhe NATO do të vazhdojë të përkrahë shtetin tuaj në rrugën drejt anëtarësimit në Aleancën Veri-atlantike”, tha Gottemoeller.
Ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov tha se demokracia e re e Maqedonisë arriti të bëjë ndryshim politik në kushte të krizës institucionale, madje edhe morale. “Vendosëm të investojmë në demokraci, për të mos u përsëritur vitet e fundit, duam media të lira, Kuvend funksional, gjyqësi të pavarur, sepse ajo është shtet si anëtaret e NATO-s, që ndajnë vlera të njejta”, u shpreh Dimitrov.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska theksoi se Maqedonia mbetet partner i NATO-s, partner të cilit mund t’i besohet, duke shtuar se Qeveria është e përkushtuar në procesin e kthimit të vendit në rrugën e reformave dhe anëtarësimit në BE dhe NATO./Telegrafi/