Në fushën e Tregtisë së palejuar me narkotikë, vetëm gjatë vitit 2016 nga Policia e Gostivarit janë zbuluar dhe paraqitur gjithsej 32 vepra penale të kryer nga 36 individë, dhe si pasojë është rritur edhe numri i tregtarëve dhe konsumuesve. Ndërkaq, ende nuk dihet numri i saktë i përdoruesve të lëndëve narkotike në regjionin e Gostivarit
Në rajonin e Gostivarit, viteve të fundit rritet prania e lëndëve narkotike, dhe si pasojë është rritur numri i tregtarëve dhe konsumuesve.
Nga Policia e Gostivarit i thanë gazetës KOHA që sipas nomenklaturës së veprave nga kjo fushë, dominojnë veprat penale: prodhimi i pautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogës narkotike dhe substancave psikotrope, edhe atë 30 vepra penale. Si pasojë, në procedurën penale në territorin e Gostivarit është konfiskuar sasia e konsiderueshme e drogës, edhe atë 168.007,96 gramë mariuhanë, 3,70 gramë heroinë, 3,87 gramë mariuhanë e përzier me duhan të grirë, 86,60 gramë kokainë, 2,9 gramë lidokain i përzier dhe ketamin, 89 tableta të plota dhe 7 gjysmë tableta metadon, 20 fara kanabisi dhe 1 bimë kanabis e mbjell në vazo. Ndërkaq, ende nuk dihet numri i saktë i përdoruesve të lëndëve narkotike në regjionin e Gostivarit.
Shifrat e publikuara nga institucionet dhe organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e këtij fenomeni, nuk përputhen me njëra tjetrën. Sektori joqeveritar duket se ka më tepër qasje në këtë drejtim. Evidencat e shoqatës joqeveritare “Help” e cila merret kryesisht me masat preventive për parandalimin e konsumimit të drogës, flasin për rreth 470 persona të regjistruar si të varur dhe përdorues të lëndëve narkotike. “Që nga viti 2005 kur dhe ka filluar të funksion shoqata jonë, ne kemi të regjistruar rreth 500 persona të varur nga lëndët narkotike”.
Zoran Poposki, koordinator i Shoqatës joqeveritare “Help” në Gostivar, i cili nënvizoi që numri i shfrytëzuesve të lëndëve narkotike në territorin e Komunës së Gostivarit, mund të jetë shumëfish më i madh dhe se të dhënat e kësaj shoqata pasqyrojnë vetëm personat që trajtohen nga kjo shoqatë.
Ndërkohë, sipas evidencave të Policisë së Gostivarit, vitin e kaluar në regjionin e Gostivarit janë evidentuar gati 300 persona të varur prej lëndëve narkotike. “Nga ato, 19 janë të gjinisë femërore. Përdoruesit e drogës janë kryesisht gjeneratat e reja, edhe të nga mosha 18 deri 35 vjet. Numri më i madh i personave të evidentuar janë shfrytëzues të marihuanës dhe heroinës, ndërsa të rralla janë rastet e përdorimit të kokainës, ekstazeve dhe kombinimeve të tjera të përziera me materiale të ndryshme narkotike”, njoftojnë nga Policia e Gostivarit. Shifrat përfshinë vetëm evidencat e Policisë së Gostivarit. Dyshohet se ky numër mund të jetë shumëfish më i madh.
Nga Policia e Gostivarit thonë se: “në mesin e përdoruesve të lëndëve narkotike, dominojnë ata të cilët për më tepër vite rregullisht shfrytëzojnë lëndë të tilla, por evident janë edhe ato persona të cilët janë në fazën e provës dhe që nga kurioziteti apo arsye të tjera janë përdorues të drogave të kualifikuara si më të lehta. Nga Policia e Gostivarit njoftojnë se janë duke ndjekur në terren lëvizjet e tyre. Vendstrehimi i përdoruesve të lëndëve narkotike janë objektet e braktisura, automjetet, podrumet e objekteve të ndryshme, parqet, ambientet për rreth stacionit të autobusëve si dhe bregu i lumit Vardar, ku dhe kryesisht mblidhen shfrytëzuesit e lëndëve narkotike dhe bëjnë të ashtuquajturat seanca narkotike.