Telegrafi

Gostivar, 235 aksidente për nëntë muaj

Në nëntë muajt e parë të këtij viti në Gostivar dhe rajon, kanë ndodhur 235 aksidente, që është për 32% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, njoftoi SPB Tetovë. Në këto nëntë muaj kanë ndërruar jetë 11 persona.

Zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski, theksoi se në 91 aksidente ka pasur lëndime të lehta. Në aksidentet tjera është shkaktuar vetëm dëm material, i cili vlerësohet të jetë 19 milionë denarë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas analizave të SPB Tetovë, arsyeja më e shpeshtë për aksidentet është mospërshtatja e shpejtësisë, gjegjësisht shpejtësia e madhe (127 aksidente), mosrespektimi i përparësisë (13) dhe vozitja nën ndikimin e alkoolit (9).

Josifovski tha se SPB do të vazhdojë me aktivitetet kontrolluese, që të largohen nga komunikacioni makinat e parregullta dhe shoferët e pandërgjegjshëm./Telegrafi/