Ish-kryetari i Bankës Popullore, Petar Goshev për “TV24” tha se Ministrja e Financave, Nina Angelovska abuzoi me pozitën e saj duke tërhequr parat nga banka, sepse si pjesë e Komitetit të Stabilitetit Financiar ajo e dinte se cila ishte gjendja në bankë.
“Ministrja e qetë u kujdes për paratë e saj. Është e qartë që ajo tërhoqi ato para, është e qartë se ajo mund të ketë pasur informacione për bankën, për atë që e priste bankën, sepse ajo është anëtare e Komitetit të Stabilitetit Financiar, ashtu është formuar kur unë isha guvernator dhe në ato seanca diskutonim për dobësitë në sektorin financiar, në këtë rast bankar.
Ajo patjetër që kishte informacione se çfarë mund të ndodhte me këtë bankë dhe siç e shohim 2 muaj më parë ajo i nxori ato para. Në kohën e tërheqjes nuk ka pasur ndonjë ndalim zyrtar për depozituesit për të tërhequr para, por këtu kemi përdorimin e pozicionit. Nëse nuk ka ndonjë krim të bazuar në ligj, në çdo rast këtu ekziston një problem i madh etik”, thotë Goshev./Telegrafi/