Telegrafi

Gordana Jankulloska sot sërish në gjykatë për rastin “Tanku”

Në Gjykatën Penale sot vazhdon gjykimi për ish-ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila po gjykohet në procedurë të ndarë për lëndën “Tanku” të Prokurorisë Speciale Publike.

Në seancën e sotme duhet të dëgjohen gjashtë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, nesër të prezantohen dëshmi me shkrim, ndërsa më 10 shtator të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në seancën e kaluar u dëgjuan gjithsej tetë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, të cilët në një mënyrë ishin të kyçur në furnizimin publik të automjetit të blinduar “Mercedes Gard” në vlerë prej 600 mijë eurove në vitin 2012.

Në dëshmitë, ata e sqaruan zbatimin e furnizimit publik të automejtit të blinduar, që ishte pjesë e planit vjetor për punë, më pas dokumentacionin e tenderit dhe përpilimin e tij, kriteret dhe evaluimin e ofertave, si dhe vetë pranim-dorëzimin e automjetit.

Gjashtë nga të akuzuarit në vitin 2012 ishin të punësuar në MPB, përderisa njëri ka qenë i punësuar në Mak Auto Star.

Dëshmitarët në dëshmitë e tyre thanë se, nuk e njohin personalisht të akuzuarën dhe nuk kanë pasur kurrfarë kontakti me të përderisa ajo ka qenë në funksion të ministres së Brendshme./Telegrafi/