Telegrafi

Gorani: Të hapet një zyrë për Luginën në kuadër të kryeministrisë (Video)

Deputeti nga radhët e PSD-së, Dukagjin Gorani, ka thënë duhet të nxjerrin një propozim për shqiptarët e Luginës,e jo vetëm të japin mendime.

Sipas tij situata e shqiptarëve në Luginë nuk ka ndryshuar për të mirë.

“Situata e shqiptarëve në Luginë nuk ka ndryshuar për të mirë, nga rezoluta e Kuvendit në qershor 2013, prej premtimit të fondit të përbashkët nga itit 2014, e deri te garancitë elektorale për dhënie të shtetësisë së Kosovës nga vitit 2017. Shqiptarët e Luginës vazhdojnë të jetojnë mes premtimeve të papërmbushura nga Kosova, Shqipëria dhe mospërfillja nga Serbia”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Sipas tij për shqiptarët folet si komunitet e nuk u mundësohet statusi i qytetarit.

“Këto ditë fati dhe ardhmëria e tyre është reduktuar në një monetë kusurimi gjatë hamendësimeve amatore mbi shkëmbime territoreve dhe demarkacione etnike. Kosova dhe ky Kuvend nuk mund të bëjnë shumë për shqiptarët në Serbi, por nuk do të thotë që nuk mund ta bëjnë asnjë gjë. Kjo Qeveri duhet ta hap një zyre për Luginën e Preshevës në kuadër të kryeministrisë, ku do ta vendoste një adresë të përhershme për Luginën. Do të ishte pikënisje e mirë për ta kërkuar zbatimin e premtimeve tona dhe për ta nisur një bashkëpunim kuptimplotë”, ka thënë ai.

Gorani ka theksuar se hapja e kësaj zyre do të ishte hapi i parë që do të mundësonte hartimin e një plani gjithpërfshirës shtetërorë për Luginën.

“Kjo zyrë po ashtu do të mundësonte hapjen e një linje të veçantë buxhetore për të, dhe mbështetja shtetërore dhe buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi. PSD konsideron se marrja e këtyre veprimeve është e domosdoshme. Komuniteti shqiptar vazhdon të trajtohet si i paqenë nga Serbia përkundër tri marrëveshjeve të nënshkruara”, ka thënë ai./Telegrafi/