Ardhja e artistit boshnjak me identitet serb, Goran Bregoviq, në ‘Festën e Birrës’ në Korçë prej disa ditësh ka qenë temë diskutimi që pati polemika e reagime të shumta.
Përkundër gjithë kësaj, Bashkia e Korçës duket se ka tentuar ta zbusë situatën për ftesën që iu bë këngëtarit, duke treguar se i njëjti do të këndojë edhe në shqip.
Në një postim të bërë nga faqja zyrtare e tyre, thuhet se ai do të interpretojë një këngë të vjetër të kënduar nga Bijelo Dugme dhe e shkruar nga Agron Berisha shumë vite më parë.
Postimi i plotë i tyre (pa ndërhyrje):
“KOSOVSKA është kënga shqipe që ka zgjedhur Goran Bregovic për të çelur nesër koncertin në Korçë.
Ai me muzikën e tij të mrekullueshme dhe publiku i festës me mikpritjen entuziaste do të japin nesër nga Korça mesazhin se arti dhe kultura janë ura miqësie që lidhin popujt.
Sot dhe nesër për të përballuar kërkesat e shumta do të ketë shitje fizike të biletave të koncertit edhe në hyrje të Pazarit të Vjetër dhe tek biletaritë e dedikuara pranë City Center nga ora 18.00 e në vazhdim.
A e din se t’gjithë do të jenë atje
Për ne të dy do të ketë hare
Shkojmë së bashku një, dy, tre!
Roke mandolinën
Bjeri bjeri bjeri çifteliës
Të gjithë do t’këndojmë kënga le t’jehojë
Kënga le t’jehojë –
Çdo gjë mund të jetë Roken-roll”.
Theksojmë që në Kosovë u kërkua të respektohej ndjeshmëria e viktimave të luftës, kurse në Shqipëri lidhur me këtë u paralajmërua dhunë marrë parasysh që pak ditë më parë tifozat kuqezi hodhën bojë drejt godinës së Bashkisë së Korçës. /Telegrafi/