Gjiganti i informacionit Google duket se ka nisur projektin “Street View” edhe në Kosovë, ndërkaq qëllimi i projektit është që t’i fotografojë me pamje 360 shkallë qytetet dhe rrugët kryesore, që janë me interes për tu vizituar.
Lexues të Telegrafit kanë dërguar informata në emailin e redaksisë ku kanë bërë të ditur se sot në orët e mëngjesit kanë parë automjete të kompanisë Google duke bërë incizimin e rrugëve.
Ndërkohë, Telegrafi është duke pritur informata të detajuara lidhur me realizimin e projektit “Street View”.
Fotografitë e marra për projektin “Street view” përpunohen në studiot e Google për t’iu ofruar qasje falas përdoruesve të internetit, qofshin përmes kompjuterit, smart telefonave apo tabletave.
Imazhet e marra do të prezantojnë pamjet reale të Kosovës për përdoruesit e internetit.
Përmes Street View, Kosova mund të mund të prezantojë pikat e saj më atraktive për vizitorët.
Google Street View ka nisur në vitin 2007 në disa qytete të SHBA-së, ndërsa raportohet se është zgjeruar në rreth 76 vende.
Kujtojmë që kohë më parë “Google me Street View” ka filluar projektin edhe në Shqipëri, ku për disa javë veturat e Google Street View janë parë në qytetet dhe zonat turistike në Shqipëri, duke mbledhur të dhëna për t’i vënë në dispozicion online rrugët e Shqipërisë. /Telegrafi/