Telegrafi

Google merret vesh me Apple për patenta

Paditë ishin ngritur lidhur me shkeljet e pretenduara të patentave nga Apple dhe iPhone dhe telefonave tjerë të prodhuar nga Motorola Mobility (deri vonë në pronësi të Google) që bazohen në sistemin operativ Android.

Interesante megjithatë, sepse paditë u hodhën poshtë vullnetarisht nga të dy palët, por të njëjtat nuk arritën marrëveshje që do të përfshinte ndonjë ndër-licencim mes palëve.

Reuters raporton se "kompanitë thanë se zgjidhja e arritur nuk përfshin asnjë ndër-licencim për patentat e tyre përkatëse." Mirëpo merret vesh se të dyja kompanitë janë pajtuar që të punojnë së bashku në reformimin e patentave.

Në vitet e fundit, Apple dhe një numër i prodhuesve që përdorin sistemin operativ të Google, Android kanë qenë të angazhuar në padi të shumta. Më së fundi, HTC kishte vendosur ta zgjidhte rastin me Apple, ndërsa betejat e famshme me rivalin Samsung kanë rezultuar në dënime të cilat prodhuesi i linjës së telefonave Galaxy është dashur t’ia paguajë kompanisë Apple.

Para pak kohësh, Google kishte njoftuar se do ta shesë biznesin e Motorola Mobility tek krijuesi kinez i harduerit dhe kompjuterëve personal – Lenovo.

Gjiganti global i kërkimit do të mbajë bibliotekën e patentave të Motorola-së në pronësinë e saj, si pjesë e marrëveshjes. Kjo marrëveshje është ende në pritje të miratimit nga ana e rregullatorëve shtetëror. /Telegrafi/