Telegrafi

Goncalo Guedes zyrtarizohet si lojtar i Valencias

Goncalo Guedes (Foto: Twitter/Valencia CF)

Valencia e ka blerë mesfushorin 21-vjeçar, Goncalo Guedes, nga Paris Saint-Germaini për 40 milionë euro.

Pas qëndrimit njëvjeçar në formë huazimi te Los Che, futbollisti portugez tashmë e ka bërë të përhershëm qëndrimin në Mestalla.

Pronari i Valencias, Peter Lim, i cili ka miqësi me homologun e tij te PSG, Nasser Al-Khelaifi, ka udhëtuar në Corsica për t’u takuar me drejtorin sportiv të klubit francez, Antero Henrique, për ta kompletuar marrëveshjen.

Lexo po ashtu Lajmet për Guedes

Në takim ishte i pranishëm edhe agjenti i lojtarit, Jorge Mendes dhe tashmë gjithçka është zyrtare.

“Valencia CF ka arritur marrëveshje me Paris Saint-Germain FC për transferimin e përhershëm të futbollistit portugez, Goncalo Guedes, i cili do të udhëtojë në Valencia të martën për ta nënshkruar kontratën si lojtar i ri i Valencia CF”, kishte shkruar në njoftimin e klubit spanjoll.

Guedes tashmë ka arritur në Spanjë, ku është pritur nga shumë tifozë të Valencias që e kanë thirrur emrin e tij.

Gjatë sezonit të kaluar, ai i zhvilloi 33 ndeshje për Los Che duke shënuar pesë gola dhe dhuroi 11 asistime. /Telegrafi/