Të dy palët e nisën këtë ndeshje me një lojë të hapur e dinamike dhe që në minutën e 6-të Drenica kaloi në epërsi nga penalltia me golin e Gecit. Por ky gol veçse i motivoi bardhekaltërit për t’i shtrënguar dhëmbët dhe për ta dominuar ndeshjen në vazhdim.
Prishtina zhvilloi ndoshta lojën më të mirë deri tani në këtë edicion, me disa aksione të bukura që dukej sikur po luan Barcelona. Mentor Mazrekaj arriti ta nxjerrë një penalti për Prishtinën në minutën e 18-të, të cilën me mjeshtri Azem Ahmeti e konvertoi në gol.
Gentrit Begolli e humbi një rast të qind për qindtë para golit në minutën e 24-të, por nuk deshi shumë dhe me një goditje nga largësia Besnik Krasniqi shënoi për ta përmbysur rezultatin (30’).
Në minutën e 45-të të takimit, bardhekaltërit me një aksion perfekt me vetëm tri pasime arritën të shënojnë golin e tretë të ndeshjes. Ishte Begolli ai që shënoi me një projektil nga largësia dhe i çoi në dëlir shikuesit në stadium, ndërsa arkitekt i këtij aksioni ishte organizatori i lojës së bardhekaltërve, Argjend Malaj.
Me të filluar pjesa e dytë Prishtina shënoi përsëri me anë të Mentor Mazrekajt (46’). Ndërsa golin e pestë për vendasit e shënoi Besnik Krasniqi pas asistimit të shkëlqyeshëm të Gentrit Begollit. Interesante është se Krasniqi deri tani ka shënuar tetë gola këtë edicion edhe pse luan si mbrojtës i djathtë.
Golin e dytë për Drenicën e shënoi Alban Guci në minutën e 80-të me një goditje të bukur nga largësia.
Ndërsa pakujdesinë dhe shpërqendrimin e mbrojtës së bardhekaltërve e shfrytëzoi i riu Genc Hamiti për ta shënuar golin e tretë për Drenicën dhe të fundit për këtë ndeshje (82’).
Prishtina me këtë fitore arrin në kuotën e 53 pikëve, e ndjekur pas nga Trepça ’89 me 50 pikë, e cila shënoi fitores sot ndaj Llamkos Kosovës me rezultat 3-1. Ndërsa, Drenica me 25 pikë duket se do të luftojë për mbijetesë këtë edicion.
Rezultatet e javës së 25-të:
Besa : Hysi 1-0
Prishtina : Drenica 5-3
Trepça’89 : Llamkos Kosova 3-1
Trepça : Vëllaznimi 2-0
Drita : Liria 2-2
Ferronikeli : Hajvalia 1-1
/Telegrafi/