Kampioni i ri i NBA, Golden State Warriors, është i gatshëm të mbajë një “qëndrim politik” duke refuzuar ftesën nga Shtëpia e Bardhë për vizitë te presidenti Donald Trump.
Skuadra nga Oaklandi, e drejtuar nga trajneri Steve Kerr, që nga momenti kur Trump i fitoi zgjedhjet në SHBA, vendosi se do ta refuzonte presidentin në rast se shpallej kampion – bën të ditur Comcast SportsNet.
Përveç trajnerit, edhe lojtarët kyçë të Golden State e kanë kritikuar Trumpin, prandaj ata nuk duan që ta vizitojnë atë në Washington.
Kujtojmë që Warriors e fituan titullin e dytë në tri sezonet e fundit duke fituar ndaj Cleveland Cavaliers në finale me rezultat të përgjithshëm prej 4-1 pas pesë ndeshjesh.
Derisa mediat po spekulojnë se kampioni do ta refuzojë ftesën, Golden State të martën lëshoi një komunikatë duke thënë se janë në festë dhe se nuk kanë pranuar ftesë nga Shtëpia e Bardhë.
Ndërkaq, më tej theksohej se klubi do ta merrte vendimin për ta vizituar ose jo presidentin vetëm në momentin kur kjo do të jetë e nevojshme. /Telegrafi/