Tashmë ka filluar edhe seria finale e “play-off” në konferencat përkatëse të ligës më të fortë të basketbollit në botë, NBA.
Kampioni aktual ka shënuar fitoren e parë në kuadër të finales së Konferencës Perëndimore duke treguar se është pretendent kryesor për të qenë në finalen e madhe.
Basketbollistët e Golden State Warriors kanë pasur një paraqitje të shkëlqyer kundër Houston Rockets, ku në fund u shpërblyen me fitore 119-106.
Vetëm çereku i parë u takoi “raketave” të Houstonit, ku më pas në parket dominuan “luftëtarët” e Golden State.
Kevin Durant ishte i pandalshëm në këtë ekip duke shënuar 37 pikë ndërsa u ndihmua edhe nga Klay Thompshon që shtoi 28 sosh. Dhjetë pikë më pak se ky i fundit i shënoi Stephen Curry.
Por, lojtari më i mirë në parket ishte James Harden i Houstonit, i cili pati paraqitje fantastike duke shënuar 41 pikë gjersa Chris Paul shtoi 23 pikë, por që nuk ishin të mjaftueshme për të shmangur humbjen e parë.
Ndryshe, takimi i dytë mes këtyre dyja ekipeve zhvillohet ditën e hënë (sot) në Toyota Center. /Telegrafi/