Telegrafi

Golden State bie në Cleveland, Dallas rikthehen te fitoret

Golden State Warriors janë ndalur pas një serie prej pesë fitoreve radhazi në NBA.

Skuadra e Steve Kerr janë mposhtur në udhëtim nga Cleveland Cavaliers me 11 pikë diferencë 115:104, duke pësuar humbjen e dytë këtë edicion në NBA.

Çereku i dytë ishte vendimtar në këtë duel ku Cavs e fituan me 13 pikë diferencë dhe u shkëputën në rezultat duke e mbajtur atë deri në fund.

Donovan Mitchell ishte fantastik për vendasit me 31 pikë, dy kërcime e shtatë asistime, derisa Garland shtoi 24 pikë të tjera.

Për Warriors nuk mjaftuan as 28 pikët e Stephen Curry që ta shmangin humbjen në këtë duel.

Te fitorja është rikthyer Dallas Mavericks që ka triumfuar para adhuruesve të vet me gjashtë pikë diferencë ndaj Charlotte Hornets 124:118.

Luka Doncic si gjithmonë ishte më efikasi për skuadrën nga Teksasi me 23 pikë, 12 kërcime e nëntë asistime, derisa Kyrie Irving dhe Williams shtuan nga 18 pikë të tjera. /Telegrafi/