Telegrafi

Golden Eagle Ylli në sfidën e dytë në FIBA Europe Cup

Kampioni i Kosovës, Golden Eagle Ylli të mërkurën (nesër) do të ketë ndeshjen e dytë në Grupin A të FIBA Europe Cup.

Ylli është mysafir i skuadrës gjermane, Niners Chemnitz, takim që zhvillohet nga ora 20:00.

Në takimin e parë, skuadra therandase pësoi nga Hapoel Galil Elion me shifrat 76-93, ndërsa Niners pësoi nga skuadra tjetër gjermane, Brose Bamberg me rezultat 85-89.

Të dy skuadrat kërkojnë fitoren e parë. Ylli është pjesë e FIBA Europe Cup, pasi u eliminua në kualifikueset e Ligës së Kampionëve.

Për kampionët e Kosovës kjo është paraqitja e parë në garat ndërkombëtare.