Ditë më parë është raportuar në media se një person është arrestuar nën dyshimin se ka dhunuar një femër.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e bërë thuhej se “i dyshuari, i paraqitur si person në këndim të Kuranit (Rukexhi) për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, dyshohet se në banesën e tij në Fushë Kosovë, gjersa kishte pranuar viktimën për ofrimin e shërbimit-trajtimin shëndetësor, i njëjti ka kryer veprën penale të lartcekur”.
Në disa media ka qarkulluar se personi në fjalë është hoxhë, por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga Bashkësia Islame e Kosovës përmes një njoftimi në Facebook.
“Sqarim për opinion: Përkitazi me lajmin se sot, në komunën e Fushë Kosovës është arrestuar një hoxhë, Këshilli i BI-së në Fushë Kosovë njofton opinionin e gjerë si dhe besimtarët myslimanë, se i arrestuari në fjalë nuk është pjesë e Këshilli të BI-së, madje i arrestuari nuk është fare imam-hoxhë, e as teolog islam. Pra i njëjti nuk ka të bëjë asgjë me misionin e imamit dhe nuk është pjesë e BIK-ut. Këshilli i BI-së, Fushë Kosovë”, ka shkruar BIK në njoftimin e tyre.
E me të parë këtë, një reagim e bëri edhe reperi i njohur shqiptar Gold AG, i njohur në opinionin edhe si një mysliman i devotshëm që praktikon ritet fetare.
“Ai s’paska qenë hoxhë, po ti a je gazetar që dezinformove”, ka shkruar reperi në një postim të rishpërndarë në InsatStory.
Gold AG, emri i vërtetë i të cilit është Arian Aguashi, ka treguar se është mjaft i përkushtuar ndaj fesë islame, dhe jo pak herë ka kënduar edhe këngë me tematikë religjionin. /Telegrafi/