Telegrafi

Gold AG ngushëllon për vdekjen e Arlind Gjikollit: Zëri i parë i rap-it në Kosovë, inspirim në vitet e pasluftës

Në moshën 41-vjeçare – pas një sëmundjeje të rëndë – ndërroi jetë një nga artistët më të mëdhenj të vendit tonë dhe drejtori menaxhues i Telegrafit, Arlind Gjikolli-Gjikla.

Reperi i njohur shqiptar nga Presheva, Gold AG ka shprehur ngushëllime për vdekjen e tij përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Arian Agushi (emri i plotë) e quajti Gjiklën si zëri i parë i rap-it në Kosovë, dhe inspirim në vitet e pasluftës.

“Zoti të mëshiroft, zëri i parë i rap-it në Kosovë. Inspirimi ynë ishe në vitet e pasluftës. Nuk jemi takuar ndonjëherë, por kur e lexova lajmin u mërzita fort, e këtu po e shoh se thellë në vete të paskam dashtë. Ngushëllime familjes, shokëve dhe të gjithë atyre që e njohën. Qofsh i xhehnetit Gjikla (WNC)”, ka shkruar Gold AG.

Ndryshe, Gjikla ishte themeluesi dhe shtylla krijuese e grupit WNC nga Peja, që zhanrin e muzikës rep në Kosovë e çoi në një stad më të zhvilluar, qoftë me tekste të angazhuara, me muzikë apo me interpretim.

Në dhjetë vjetët e fundit, Gjikla ishte COO (Drejtor Menaxhues) i Telegrafit. Si person që jetonte me kohën dhe që donte përparimin, ai dha kontribut të madh në zhvillimin dhe rritjen e këtij portali.

Ceremonia e varrimit do të mbahet sot, e martë (6 dhjetor) në orën 15:00 në varrezat e qytetit të Pejës. Funerali niset nga shtëpia e të ndjerit, rruga “Mbretëresha Teutë”, numër 89. /Telegrafi/