Site icon Telegrafi

Gola, kartonë të kuq, tifozë në fushë dhe gjithçka tjetër ndodh në Podujevë, por në fund Drita mposhtë Llapin

Drita ka arritur të marrë një fitore tejet të madhe në udhëtim te Llapi 1-3, në një ndeshje ku zgjati më shumë se 2 orë e 40 minuta.

Llapi e nisi më mirë ndeshjen kur vetëm pas shtatë minutave realizoi për 1-0.

Ishte talenti i madh gjilanas Mirlind Daku që shënoi për 1-0.

Gjyqtari kryesor i ndeshjes, Genc Nuza përjashtoi dy trajnerët Bekim Isufin fillimisht dhe Tahir Batatinën pastaj pas reagimeve.

Mentor Zhdrella ishte i pafat në minutën e 23 kur pas një gjuajtje të fortë topi u ndal vetëm në shtyllë.

Drita rrezikoi me Kastriot Rexhën që gjuajti me kokë por priti mjaftë mirë portieri vendas Arben Beqiri.

Disa minuta më vonë kapiteni i vendasve Hamdi Namani goditi fuqishëm por që priti Rexhepi i mysafirëve.

Mysafirët barazuan në minutën e 39-të, kur Kastriot Rexha shënoi pas një gabimi të mbrojtësit vendas Dardan Jashari.

Me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Llapi e nisi rrezikshëm pjesën e dytë kur Mirlind Daku tentoi me një goditje të fortë por edhe më mirë priti Rexhepi i mysafirëve.

Ishte minuta e 61-të kur futbollistët e Dritës ndërtuan një aksion model në futbollin kosovar.

Astrit Fazliu asistoi për mrekulli te Xhevdet Shabani i cili harkoi në zonë për Kastriot Rexhën që shënoi për 1-2.

Goli i Rexhës solli gëzim të madh tek Intelektualët por jo edhe tek tifozët vendas që filluan të hidhnin gjësende të forta në fushë.

Gjyqtari Genc Nuza për një moment ndërpreu ndeshjen pasi tifozët vendas nuk ndalnin gjuajtje në fushë në drejtim të futbollistëve mysafirë.

Ndeshja rifilloi pas gjashtë minutave ndërprerje.

Por duket se futbollistët mysafirë nuk u ftohen nga ndërprerja pasi arritën edhe golin e tretë në minutën e 70-të.

Ishte përsëri Kastriot Rexha që shënoi për 1-3 pasi doli mirë përballë portierit Beqiri pas asistimit nga Astrit Fazliu.

Në minutën e 75-të, ndeshja përsëri u ndërpre pasi disa tifozë vendas u futën në fushë në tentim për ta ndërprerë ndeshjen.

Gjyqtari Genc Nuza dërgoi futbollistët në zhveshtore dhe mori vendim që të zbrazet i gjithë stadiumi nga tifozët.

Ndeshja rifilloi për herë të dytë pasi 20 minuta lojtarët kishin ndenjur në zhveshtore në pritje të vendimit nga gjyqtari.

Llapi tentonte të bënte diçka më shumë pas rifillimit të ndeshjes por pa sukses.

Mesfushori i vendasve Kushtrim Shabani brenda tre minutave mori dy kartonë të verdhë dhe u largua nga loja në minutën e 87-të.

Pas përfundimit të kohës së rregullt, Genc Nuza akordoi 12 minuta shtesë.

Llapi mbeti edhe pa Ilir Blakcorrin në minutën e 98-të pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u largua nga loja.

Kësisoj Drita fiton ndeshjen ndoshta më të rëndësishme të sezonit dhe mban vendin e parë me 56 pikë, tri më shumë se Prishtina.

Llapi mbetet e treta në tabelë me 45 pikë të grumbulluara pas 28 ndeshjeve.

Në ndeshjen e ardhshme, Llapi do të luaj një tjetër derbi pasi takohet me Prishtinën në udhëtim.

Ndërkohë lideri aktual i Superligës, Drita do të jetë nikoqire e Feronikelit. /Telegrafi/

Exit mobile version