Site icon Telegrafi

Gojnovci: Prostitucioni dhe dhunimet në Kosovë, fenomene shqetësuese që kërkojnë veprim të menjëhershëm

Rexhep Gojnovci nga organizata joqeveritare “AKTI” ka ngritur alarmin mbi fenomenet e dhunimeve dhe prostitucionit në Kosovë, duke i cilësuar ato si çështje komplekse dhe shqetësuese që kërkojnë angazhim të gjerë institucional dhe shoqëror për zbutjen dhe parandalimin e tyre.

Gojnovci ka deklaruar se fenomeni i dhunimeve është duke vazhduar dhe përbën një problematikë të thellë në shoqëri.

“Është një temë jashtëzakonisht komplekse që kërkon zgjidhje dhe angazhim të mekanizmave institucionalë dhe socialë. Nëse dëshirojmë ta zbusim këtë fenomen, duhet një bashkëpunim i ndërlidhur nga të gjitha palët,” ka theksuar ai në Tv Dukagjini.

Ai po ashtu ka folur mbi zhvillimin shqetësues të fenomenit të prostitucionit në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e ndërgjegjësimit publik dhe veprimeve të koordinuara nga institucionet qendrore, lokale, shoqëria civile dhe mekanizmat e sigurisë.

“Prostitucioni është duke u zhvilluar edhe në Kosovë, ashtu si në vendet e tjera, dhe kërkon një qasje serioze për të parandaluar zgjerimin e tij. Duhet të ketë bashkëpunim mes institucioneve dhe organizatave për të adresuar këtë problem dhe për të ndikuar në ndërgjegjësimin publik”, tha Gojnovci.

Ai ka përmendur faktorët ekonomikë, socialë dhe edukativ si elemente që ndikojnë në zhvillimin e këtyre fenomeneve dhe ka apeluar për një përfshirje më të madhe të institucioneve në parandalimin e tyre.

Sipas tij, veprimet e vonuara mund të çojnë në një përkeqësim të mëtejshëm të situatës./Telegrafi/

Exit mobile version