Nga: Nikhil Krishnan / The Daily Telegraph
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com
Kushdo që ka një orë të lirë për të kaluar në Londrën qendrore, nuk bën keq të shkojë në katin e fundit të Galerisë “Courtauld”. Rrethuar nga veprat e Sezanit [Paul Cézanne] dhe Manesë [Édouard Manet], të cilat janë xhevahiret e koleksionit të përhershëm, aty është edhe Kurrë më [Nevermore], një kryevepër e vitit 1897 nga faza finale tahitiane e karrierës së Gogenit [Paul Gauguin]. Broshurat e “Courtauld”-it na kujtojnë se piktura ishte “e destinuar për një audiencë mashkullore të bardhë evropiane” dhe se “përfaqësimi ekzotik i Polinezisë” nga Gogeni ka meritë për “përjetësimin e fantazisë së një parajse natyrore në anën tjetër të botës”.
Nëse të bësh diçka ekzotike do të thotë të romantizosh atë që është joromantike, atëherë fjala është pothuajse komike, e papërshtatshme për atë që ka bërë Gogeni. Në biografinë e re të artistes Sue Prideaux, vepra e parë në një shkallë të tillë që nga biografia e David Sweetmanit në vitin 1995, ajo e përshkruan pikturën me fjalë të thjeshta dhe ndjellëse: “Pahura shtrihet në shtrat, sytë e saj të zbrazët hapen në natën e zymtë, me fytyrë të trishtuar. Lart mbi dritaren e një studioje pas kokës së saj, qëndron një korb i zi. Pahura, sapo mësuam, ishte një vajzë në mes të adoleshencës, e cila kishte lindur disa muaj më parë vajzën e Gogenit, një fëmijë që vdiq disa ditë pas lindjes. Tahiti i Gogenit nuk është parajsë natyrore: është i errët, misterioz, i përhumbur nga perënditë e lashta dhe prania e vazhdueshme e vdekjes”.
Prideaux është përballur me Gogenin, një tjetër fëmijë të tmerrshëm të shekullit XIX, për të cilin ajo ka afeksion; ajo ka shkruar më parë biografi të mirënjohura të [August] Strindbergut, Munkut [Edvard Munch] dhe Niçes [Friedrich Nietzsche]. Ajo shkruan me ton të dashurisë së acaruar, të frustruar, me ankth për të kuptuar fillimisht dhe dalëngadalë për të denoncuar. Jeta tejet interesante e Niçes është e vështirë për të dëshmuar se filozofi nuk ishte, siç konsiderohet shpesh, një antisemit. Gogeni, imperialisti kurorëshkelës, është po ashtu përfitues i mbrojtjes së tillë.
Vepra Gjëja e egër [Wild Thing: A Life of Paul Gauguin] fillon me gjyshen e jashtëzakonshme të Gogenit, Flora Tristan, “një intelektuale bukur socialist-anarkiste që ndoshta nuk ka mësuar kurrë të gatuajë” dhe mbulon me vrull fëmijërinë e bukur të Gogenit në Peru. Pas kthimit të tij në Francë, i riu Gogen vazhdoi të identifikohej me atë vend të largët, duke u thënë mujsharëve të shkollës se “ai ishte i egër”.
Si i ri, ai punoi për një kohë si “likuidues, ekuivalenti i shekullit XIX i një ndërmjetësi të bursës së ardhshme”, një punë që e lejoi të mbante gruan e tij daneze, Mette, “një bionde me trup të bukur dhe me pikëpamje të pavarura”, në rehatinë me të cilën ishte mësuar. Ai jetoi në Parisin e Pizaros [Camille Pissarros], Manesë dhe Sezanit, duke mësuar prej tyre pa u bërë tamam impresionist. Kishte miq të rinj të talentuar, disa prej të cilëve kërkuan mentorimin e tij, si: Serizje [Paul Sérusier], de Hani [Meijer de Haan] dhe van Gogu [Vincent van Gogh].
Reagimet ndaj veprës së Gogenit gjatë jetës së tij duket se kanë rënë mes pëlqimit dhe indiferencës. Eksperimentet e tij me materiale dhe forma të reja (qeramika, punime metalike, punime druri) nuk ia ofruan admiruesit apo blerësit të cilët ai kërkonte. Vendimi i tij për të nisur lundrimin për në Paqësorin jugor, u motivua kryesisht nga dështimet e tij në Paris. Prideaux na jep një ide të qartë të gjendjes së financave të Gogenit në çdo fazë të jetës së tij, një faktor vendimtar për të kuptuar vendimet e tij.
Pikëpamjet e Gogenit mbi barazinë e grave nënkuptonin se ajo që të tjerët e konsideronin braktisje e pashpirt e familjes së tij, ai këtë e shihte si një mënyrë për të respektuar autonominë e gruas së tij. Prideaux është e paanshme në portretizimin e këtij konflikti. Mette del nga kjo si një figurë komplekse, një grua që dha aq sa mori, kurrë si një viktimë e pafat.
Megjithatë, sapo arrijmë në Tahiti, Prideaux e ka një moment më të vështirë për ta bërë subjektin e saj dashamirës. Gogeni prej disa kohësh është përshkruar si kolonialist që përhapte sifilizin te vajzat adoleshente të ishullit, të cilat ai i merrte vazhdimisht si “gra”. Në çështjen e sifilizit, të paktën Prideaux thotë se nuk ka asnjë provë për këtë. Gogeni ishte shpesh i sëmurë në Tahiti, por vuajtjet e tij më të rënda erdhën nga një dëmtim i pësuar nga një përleshje me një të dhunshëm në Bretanjë.
Sigurisht që prania e Gogenit në Tahiti nuk do të ishte e mundur nëse ai nuk do të ishte francez; por, nuk ishte shenjtor. “Martesat” e tij me vajza në adoleshencën e tyre të hershme u kritikuan edhe në një kohë me qëndrime më ndryshe ndaj moshës së pranimit të aktit seksual. Por, ai nuk ishte ideolog: përdori çdo mundësi për të kritikuar, në mënyrë elokuente dhe publike, politikat franceze në Tahiti. Ai ishte një mbrojtës i fortë i kulturës indigjene të Polinezisë kundër përpjekjeve të misionarëve, protestantë dhe katolikë, për të shkatërruar çdo gjurmë të fundit të saj. Prideaux gjen prova të qëndrimeve të Gogenit në një dorëshkrim të humbur prej kohësh në një ese të gjatë dhe iluminuese, Avant et après (“pjesërisht kujtime, pjesërisht testamenti i fundit”) që vetëm kohët e fundit është vënë në dispozicion të studiuesve.
Kujtimet zbulojnë një Gogen krejt ndryshe nga “gjëja e egër” që ai pëlqente të quante veten. Në këtë libër ai ishte një piktor filozofik, veprat e shkëlqyera të të cilit ende ngjallin frikë dhe mister. Është tunduese, sot, të mendosh se puna e tij ka skaduar; dhoma në “Musée d’Orsay” në Paris që i është kushtuar atij është pothuajse bosh kur krahasohet me turmat që rrëmbejnë shkopinjtë e selfit në dhomat e Van Gogut dhe Monesë aty pranë. Por, libri vjen vetëm pak vite pas ekspozitës së Galerisë Kombëtare të portreteve të tij, gjë që sugjeron se Gogeni ka një grup besnik të admiruesve.
Është tronditëse dhe për të ardhur keq kur Prideaux futet në regjistrin e kritikës akademike: ajo përshkruan një nga pikturat më të mëdha të Gogenit si “referencë dhe sintetizim të kontekstit kulturor dhe fetar për të sjellë universalitet në përshkrimin e gjendjes problematike të të qenit njeri”. Është akoma më keq kur ajo bie në tonin e revistës së modës, si në rastin kur përshkruan një nga modelet e Gogenit me “flokët e bukura … rreth strukturës së mrekullueshme kockore të fytyrës së saj … duke i dhënë një bukuri frymëzuese nga lëkura e saj shkëlqyese”.
Për fat të mirë, proza kësaj vepre në pjesën më të madhe është e mirë, duke gjetur vend për momente reflektuese që marrin parasysh pikturat e veçanta dhe përshkrime lirike të peizazheve në të cilat Gogeni kaloi vitet e tij të fundit. Debati mbi Gogenit ka qenë gjithmonë rreth një pyetjeje më të madhe: a duhet që artistët e mëdhenj të jenë burra të mirë? Imazhet në libër janë një kujtesë e dobishme, madje edhe për ata që nuk janë të bindur nga mbrojtja që Prideaux bën për mirësinë e Gogen, se një artist i madh është me të vërtetë ai që ishte. /Telegrafi/