Site icon Telegrafi

Goditje nga pandemia pësuan edhe prodhuesit e bakllavasë, autoritetet turke tregojnë rënien drastike në prag të Bajramit

Shkaku i pandemisë, kërkesa për bakllava ka rënë për 50 për qind, ndërsa afrimi i Fiter Bajramit nuk e ka rritur shumë kërkesën.

Në prag të festës së Bajramit, prodhuesit e bakllavasë në Turqi janë shumë të zënë me prodhimin e kësaj ëmbëlsire, por jo edhe gjatë këtij viti kur është përhapur coronavirusi, transmeton Telegrafi.

Drejtori i Asociacionit të Prodhimit të Bakllavasë dhe Ëmbëlsirave, Mehmed Yildirim bëri të ditur se numri i kërkesave për bakllava gjatë pandemisë ka rënë në masë të madhe.

“Kur afrohet festa, prodhimi i bakllavasë rritet për tri deri në katër herë, por gjatë këtij viti ka rënë për 50 për qind”, ka bërë të ditur Yildirim.

Sipas tij, rënia drastike e kërkesës, është një shqetësim shumë i madh, sepse bie në masë të madhe edhe numri i të punësuarve, si dhe orëve të punës.

Turqia mund të prodhojë deri në 1,200 ton bakllava në ditë, ndërsa njihet në mbarë botën, për shijen mbresëlënëse që e ka kjo ëmbëlsirë.

Ndalimi i qarkullimit gjatë fundjavës në Turqi, si pjesë e parandalimit të përhapjes së coronavirus, është një goditje tjetër për tregun e bakllavasë, sepse bllokohet prodhimi si pasojë e mungesës së punojësve, derisa produktet e gatshme nuk do të shiten sa duhet.

Gjatë festimeve të këtij Fiter Bajrami, që fillon nga 24 dhe mbaron më 26 maj, autoritetet turke kanë urdhëruar që shteti të jenë nën shtetrrethim dhe të ndalohet qarkullimi, në mënyrë që të parandalohet përhapja e coronavirusit. /Telegrafi/

Exit mobile version