Telegrafi

“Më goditi në fytyrë me këmbë, më është thyer hunda dhe kocka në fytyrë”, emigranti sirian rrëfen se si u rrah nga ushtari bjellorus

Kriza ndërkombëtare mes BE-së dhe Bjellorusisë, mbi emigrantët në kufirin polak, po vazhdon të rritet, me disa mijëra emigrantë të bllokuar, përfshirë fëmijë, që jetojnë në kampe të improvizuara me temperatura nën zero.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, ata që kanë arritur të dalin po përshkruajnë përvojat e tyre – disa shqetësuese.

Mes tyre edhe 37-vjeçari Youssef Atallah nga Damasku i Sirisë.

Duke folur nga një kamp migrantësh në anën polake të kufirit, ai thotë se ka udhëtuar ilegalisht në Moskë para se të transportohej në kufi nga kontrabandistët me një furgon.

“Pastaj erdhi policia e Bjellorusisë, erdhën rojet kufitare, na ndoqën dhe na kapën, na thanë të ulemi në gjunjë, u ulëm në gjunjë dhe një ushtar bjellorus qëndronte në një anë, ai më goditi në fytyrë me këmbë, derisa humba ndjenjat për rreth disa minuta. Kam thyer hundën dhe më është thyer kocka në fytyrë dhe sytë më janë fryrë kështu”, thotë ai.

Një tjetër emigrant sirian, Thaer Rezk nga Homs, tha se autoritetet bjelloruse prenë gardhin kufitar për ata që përpiqeshin të kalonin. /Telegrafi/