Telegrafi

Goditi mësuesen me karrige, nxënësi i penduar: Më përmendi babanë, humbja e tij ka qenë dramë për mua

Një ditë pas ngjarjes së paprecedent ku mësuesja e matematikës Majlinda Palushi u godit me karrige nga nxënësi, mësimi në Gjimnazin “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës vijon normalisht.

Edhe pse kishin paralajmëuar bojkot, mësuesit iu rikthyen mësimit dhe askush nuk prononcohet për incidentin. As Drejtoria Rajonale e Arsimit Paraunversitar në Lezhë nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar, duke mos iu përgjigjur interesit të medias.

Ndërkohë policia ka shtuar masat e sigurisë në gjimnazin “Hydajet Lezha”, ku siç shihet në pamje uniformat blu qëndrojnë në hyrje të shkollës.

16-vjeçari mbahet në paraburgim dhe pritet të dalë në gjykatë me dy akuza “Goditje për shkak të detyres” dhe “Plagosje e rëndë me dashje”. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije adoleshenti ka shprehur pendesë.

Lexo po ashtu Qëlloi me karrige mësuesen gjatë orës së mësimit, arrestohet 16-vjeçari

“Nuk e di çfarë ndodhi! Pata një gjendje të renduar psikologjike pasi mësuesja më përmendi babanë ndërsa po flisnim për frekuentim e shkollës. Ka qene një drame për mua humbja e babait dhe e përjetova serish atë moment. Nuk kam patur asnjë debat më parë me mësuesen, nuk duhej të ndodhte. Jam i penduar!”, ka thënë ai.

Po kështu është marrë në spital dëshmia e Majlinda Palushit e cila ka deklaruar se ka kërcënuar nxënësin se do ta ngelë në klasë pasi i ka prishur orën e mësimit.

“Nxënësi ishte në bankën e fundit dhe bënte muhabet me shokun. Më ka prishur orën e mësimit. I kam tërhequr vëmendjen por nuk ndalonte. Në këtë momenti i kam thënë se nuk e meriton notën kaluese, edhe vjet të kam kaluar kot. “Betohem për eshtrat e tim eti dhe tëndit se s’ke për të kaluar këtë vit”, tha ajo.

Fjalët e mësueses kanë lënduar 16-vjeçarin që ka mbetur jetim. I revoltuar ka goditur mësuesen me karrige e cila ka marrë plagë në trup dhe është dërguar në spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar. /Telegrafi/