Telegrafi

Goditet rrjeti i fuqishëm pirat i IPTV në Europë, aksion edhe në Shqipëri

Një operacion i koordinuar policor mbylli një rrjet IPTV ilegal, që u ofronte shërbim më shumë se 500 mijë abonentëve në të gjithë Europën, me rreth 1200 kanale të ndryshme televizive. Operacioni u zhvillua nga policia qipriote, e mbështetur nga Sektori i Krimit Kibernetik Grek, Zyra Fiskale-Investigative Holandeze, sektori Cybercrime Bullgar, Europoli dhe të gjithë anëtarët e Audiovisual Anti-Piracy Alliance (AAPA). Rrjeti i goditur akuzohet për transmetimin e shumë kanaleve greke, qipriote dhe shumë televizioneve të huaja në mënyrë ilegale.

Shërbimi dyshohet se ofrohej nëpërmjet shitësve me pakicë në të gjithë Europën dhe shitej si një abonim mujor për jo më pak se 10 deri në 20 euro.

Rrjeti transmetonte shumicën e kanaleve të njohura europiane, përfshirë Sky UK, Sky Deutschland dhe Sky Italia, Greek Nova TV, Dutch Ziggo Sport, Fox Sports dhe shumë të tjera. Operacioni i koordinuar u shtri në të njëjtën kohë në Qipro, Greqi, Holandë e Bullgari, ku në 17 ambiente të kontrolluara u arrestuan 4 persona, u bllokuan 84 serverë dhe u konfiskuan 70 marrës satelitorë, që përdoreshin për të siguruar akses të paligjshëm në kanale të ndryshme.

Edhe në Shqipëri Platforma DigitAlb është në krye të përpjekjeve për të goditur piraterinë televizive në bashkëpunim me organet ligjzbatuese. Një seri aksionesh vijojnë për goditjen e subjekteve që piratojnë programet e Digitalb dhe operatorëve të tjerë të licencuar.

Më poshtë gjendet edhe lista e subjekteve që janë identifikuar si piratues të programeve televizive për Shqipërinë. /Telegrafi/