Është kthyer në një fenomen shqetësues problemi vajzave të huaja që ushtrojnë prostitucion në Tiranës.
Në një tjetër operacion të policisë së Tiranës, të koduar “Red Light 3”, është zbuluar një tjetër rrjet prostitucioni në kryeqytet.
Gjatë operacionit u ndaluan shtetasit A. W., 45 vjeçe, Zh. Y., 30 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucion” 5 shtetase kineze, si dhe për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi G. L., 62 vjeç.
Hetimet zbuluan se shtetasit A. W. dhe Zh. Y., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë sjellë në Shqipëri, 5 shtetase të huaja, të cilave iu kanë premtuar se do t’i punësonin në qendra masazhesh në Shqipëri. Pasi këto shtetase kanë arritur në vendin tonë, dy të arrestuarit i kanë shfrytëzuar për prostitucion, në apartamente të marra me qira.
Nga veprimet hetimore është dokumentuar ligjërisht fakti se autorët e dyshuar i reklamonin në faqe online, shtetaset që i shfrytëzonin për prostitucion, gjenin klientët, i prisnin ata në hyrjen e pallatit ku ushtrohej prostitucioni dhe pas kryerjes së pagesave që varionin nga 200-300 euro, i dërgonin klientët në apartament. /Telegrafi/