24 persona në Itali kanë rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se ishin pjesë e dy organizatave kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, veçanërisht kokainës dhe heroinës.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave, operacioni antidrogë ka nisur në mëngjes nga policia financiare e Torinos dhe Shërbimi Qendror i Hetimit të Krimit të Organizuar (Scico) të Romës, i koordinuar nga Prokuroria, Drejtoria Antimafia e Rrethit Torino, pas një urdhëri të prokurorit përkatës.
Mësohet se të arrestuarit ishin shtetas italianë dhe shqiptarë. Sipas hetuesve grupi drejtohej nga një 58-vjeçar shqiptar, banues prej mbi 20 vitesh në zonën e Torinos, i cili kishte lidhje të forta dhe bazën e tij logjistike në kryeqytet dhe vepronte në bashkitë në zonën veriore të qytetit, me degëzime dhe lidhje në provincat e tjera piemonteze dhe rajonet e afërta.
Grupi, sipas hetuesve, kishte një rrjet të konsoliduar të furnizimit dhe shpërndarjes së kokainës me njerëz të ngarkuar për blerjen, ruajtjen, përpunimin dhe tregtimin e mëvonshëm të substancës dhe një rrjet të gjerë klientësh në Piemonte, në provincat e Torinos, Asti dhe Cuneo, por edhe në Toskanë, në provincën Lucca. /Telegrafi/