Telegrafi

Goditet baza e armatimeve në Durrës, Balla: Goditje e përditshme e armëmbajtjes pa leje

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një postim në rrjetet sociale, ka nënvizuar se është detyrë kryesore e Policisë së Shtetit, goditja e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë apo arrestimi i shtetasve që qarkullojnë me armë.

Balla, duke përgëzuar punën e policisë, për goditjen e një baze armatimesh në Sukth të Durrësit, shprehet se forcat e rendit po godasin çdo ditë fenomenin e armëmbajtjes pa leje.

Lexo po ashtu Zbulohet baza e grupeve kriminale në Sukth të Durrësit, gjenden armë dhe municione

“Policia e Shtetit po godet çdo ditë fenomenin e armëmbajtjes pa leje. Përgëzime drejtorive vendore️ Durrës dhe Tiranë për goditjen e një tjetër baze që shërbente për furnizimin me armë zjarri të grupeve kriminale dhe të një rrjeti trafiku armësh zjarri”, shkruan Balla.

“Goditja e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë apo arrestimi i shtetasve që qarkullojnë me armë janë detyrë kryesore e Policisë”, nënvizon Balla.

Reagimi i ministrit Balla erdhi pasi Policia e Durrësit njoftoi finalizimin e operacionit policor “Hills 2”.

“Në kuadër të operacioneve policore të njëpasnjëshme, me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e përdorimit të tyre nga kontigjenti kriminal, për ngjarje të rënda, specialistët e Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, të mbështetur te informacionet e inteligjencës policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hills 2””, bën të ditur Policia e Durrësit

“Si rezultat i operacionit, në Sukth, u zbulua një bazë, ku mbaheshin armë zjarri, sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat dyshohet se do t’i shërbenin grupeve kriminale”, vijon njoftimi.

“Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, ndezës granate, 1 palë dylbi snajperi, krehër arme, 1 rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme. Gjithashtu, gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga pronari i banesës që dyshohet se shërbente si bazë, shtetasi A. S”, njofton Policia e Durrësit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.