Telegrafi

Goditen ndërtuesit

Gjithashtu është vërejtur te shumica e kompanive që kanë falsifikuar dokumentet në këmbim të licencës.

Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë se ideja e krejt kësaj është që të krijohen kritere më të ashpra për kompanitë që destinim e kanë ndërtimin. Po ashtu është menduar që të krijohen kritere të caktuara, duke e shmangur burokracinë.
E ashtu qysh është sot, nëse një kompani ndërtimore dëshiron të aplikojë për licencë, duhet t’i kalojë disa ministri për t’u pajisur me të.

“Aktualisht licencat për ndërtimtari merren në disa ministri, duke ua vështirësuar punën. Dëshirojmë që kjo të ndryshojë dhe të vendosim kritere duke shmangur burokracinë”, ka thënë Kusari-Lila.

Miratimi i një plani të ri mbi kontrollin e licencave, sipas saj, është duke u përgatitur por nuk dihet se kur do të përfundojë.

Me këtë, tha Kusari-Lila, dëshirohet që t’i iket edhe falsifikimit të dokumenteve, që ka qenë edhe njëra nga arsyet për marrjen e këtij vendimi. “Përveç burokracisë, ka pas edhe falsifikim dokumentesh prej kompanive”, ka thënë ajo.

Ndërkohë që nga paslufta kanë qenë po këto kompani që Ministria u ka anuluar licencat, e që kanë kryer ndërtime në Kosovë. Madje, shumë nga to kanë qenë edhe përfituese të tenderëve publikë.

Me Ligjin për Ndërtim thuhet se kompania që pajiset me licencë duhet që ndërtimin ta kryejë në përputhje me lejen e ndërtimit dhe miratimin e lokacionit. Gjithashtu, është kompania ndërtuese që me këtë ligj obligohet ta caktojë inxhinierin kryesor të vend-ndërtimit në cilësinë e përgjegjësit, i cili e udhëheq ndërtimin apo disa pjesë të ndërtimit.

“Realizuesi duhet të dëshmojë njohurinë e tij profesionale, përvojën dhe duhet të jetë i licencuar nga Ministria kompetente. Ministria me akt administrativ do të përcaktojë kushtet dhe masat e licencimit”, thuhet në këtë ligj. /Telegrafi/