Telegrafi

GNK: Pavarësia të shpallet në gjysmën e dytë të janarit

Në një bisedë për Zërin e Amerikës, Naim Rashiti, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se, raporti i Treshes ndërkombëtare për statusin e Kosovës do t’i hap rrugë një proces të ri të koordinuar në mes sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Bashkimin Evropian dhe Grupit të Kontaktit, ndërkohë që radha e Prishtinës është të bëjë trysni mbi shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit që në pranverën e ardhshme të njohin shtetin e Kosovës.

Rashiti po ashtu tha se, mosbashkërendimi dhe mospajtimi brenda Treshes ka bërë të pamundur arritjen e një qëndrimi të përbashkët brenda Këshillit të Sigurimit.

Sipas Rashitit, Bashkimi Evropian po arrin në një fazë kur qëndrimi i përbashkët mes shteteve anëtare të saj është në nivel të kënaqshëm dhe se po shtohet mirëkuptimi ndaj faktit se çështja e Kosovës nuk mund të shtyhet më tutje.

Sipas hulumtuesit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, zgjedhjet e 17 nëntorit nuk e kanë penguar procesin e statusit por ato kanë dëshmuar arritjen e shoqërisë së Kosovës në organizimin e tyre në periudhën më kritike për statusin e saj. “Tani jemi në një periudhë kur dënimi për institucionet për institucionet që nuk i realizojnë premtimet vjen shumë shpejt… Besoj se ç’do parti politike cila merr përsipër që të udhëheq institucionet do ta ketë në mendje se mos realizimi i premtimeve do t’i kushtojë shumë shtrenjtë në zgjedhjet e reja”, tha ai.