Raporti i fundit për Kosovën nga Komisioni Evropian vlerëson progresin e kufizuar të vendit drejt anëtarësimit në BE gjatë periudhës tetor 2023 – tetor 2024, sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
GLPS thotë se ky raport identifikon disa fusha me përmirësime, sidomos në drejtësi, liri, dhe siguri, por kritikon progresin e pamjaftueshëm në aspekte të tjera.
Gjetjet kryesore përfshijnë:
Kuvendi i Kosovës është kritikuar për mosfunksionim të rregullt, pasi ndarjet politike mes qeverisë dhe opozitës kanë çuar në anulime të shumta seancash dhe përmbushje të ulët të agjendës legjislative.
Administrata Publike: Vazhdojnë problemet për mungesën e meritokracisë dhe funksionimin e shërbimit civil, ku pozitat drejtuese shpesh janë mbuluar nga ushtrues detyre dhe jo nga drejtues të përhershëm.
Gjyqësori dhe të drejtat themelore: Progresi është i limituar dhe përfshin thirrjen për përzgjedhje të shpejtë dhe transparente të Kryeprokurorit të Shtetit dhe miratimin e Kodit Civil e të Procedurës Civile.
Liria e medias: Raporti shpreh shqetësim për ndërhyrjet e Qeverisë në media dhe bën thirrje për mosndërhyrje qeveritare.
Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë: Raporti përsërit rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit nga të dyja palët dhe nënvizon se fondet e BE-së për Kosovën varen nga progresi në dialog.
GLPS rekomandon që Qeveria e Kosovës të angazhohet më shumë për të arritur rezultate konkrete në reforma dhe të rrisë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, sidomos për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë./Telegrafi/