Telegrafi

GLPS organizon tryezë diskutimi për Gjykatën Speciale

Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon panelin e diskutimit me temë “Gjykata Speciale në vitin 2019: pritjet, problemet dhe pyetjet e mbetura”.

Konferenca mbahet në ora 10:30.

Në fillim të diskutimit, GLPS do të prezantoj dy analiza “Udhëzuesi i posaçëm për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale (I) dhe (II)”.

Analiza e parë trajton natyrën, organizimin dhe kompetencat e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ndërsa, analiza e dytë fokusohet në ligjin e aplikueshëm dhe procesin që duhet ndjekur pranë kësaj gjykate. Fokus i veçantë i është kushtuar procesit të krijimit të kësaj gjykate, natyrës së saj dhe vendin që e njëjta zë si gjykatë hibride.

Njëkohësisht, analizat trajtojnë specifikat e organizimit të gjykatës si dhe juridiksioni që i është besuar në gjykimin e krimeve që dyshohet të jenë kryer gjatë dhe pas luftës. Analiza shërben si udhëzues mbi dallimet e procedurës penale që ndiqet pranë kësaj gjykate me procedurën penale që ndiqet në gjykatat e rregullta të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Gjykata Speciale ka filluar t’i ftojë në intervistë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndër të ftuar janë Rrustem Mustafa, Sabahajdin Cena, Safet Syla, Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti, Sami Lushtaku.